Tasim

Gjokutaj

Me të mbeshtëtur kokën në jastëk gjatë mbrëmjes se qetë dhe të shumëpritur,
mamaja ime ulej buzë krevatit teksa mbante një libër të hollë në dorë, mbushur me përralla të shkurtra. Ndër to që "Kush e hëngri akulloren?" dhe nuk iu desh shumë kohë pas leximit të parë që ajo të kthehej në një nga trillimet e mia te preferuara.

Tasim Gjokutaj?!
Sa herë e kam dëgjuar veprën e tij edhe sot më lindi kurioziteti të mësoj më shumë për të…
Përshtypja e parë që krijohet nga vepra lidhet me naivitetin dhe kureshtjen fëmijënore, të cilat autori i përdor për të nxjerrë në pah kontrastin mes thjeshtësisë së pyetjeve dhe kompleksitetit të jetës reale. Titulli, që në vetvete ngjall një kuriozitet të pafajshëm, kthehet në një hyrje për të eksploruar marrëdhëniet njerëzore dhe detajet e përditshme që shpesh anashkalohen në botën e të rriturve. Me humorin dhe stilin e tij të thjeshtë, Gjokutaj krijon një atmosferë që na kujton lojërat dhe kujtimet e hershme, duke na shtyrë të reflektojmë për thjeshtësinë e humbur
dhe rëndësinë e vogëlsirave në jetën tonë.

Sa i thjeshtë, po dhe aq zbavitës, nxiste mendjen time fëmijënore, të përfytyronte çdo situatë si një skenë reale. Në tru qëndronte i gozhduar imazhi i asaj akulloreje, që shoqëruar me ilustrimin e vockël në libër, ngjante si akullorja më shumëngjyrëshe, e freskët dhe shërbet e ëmbël, saqë më përcillte edhe në gjumë, duke u shfaqur në ëndrrat e mia…

Po si ka mundësi?
Kjo përrallë që e kisha aq përzemër dhe insistoja të më lexohej çdo natë, ngjan se ishte zbehur nga kujtimet e mia…
Nuk e prisja që në të ardhme do të ritakoja ato vargje, tashmë të përkthyera në një ndjenjë nostalgjie, teksa shkruaj pikërisht për to…
Por s’mund të isha më e lumtur!
Si më e pjekur, gjithashtu kuptoj se po të mos kishte qenë për atë tregim nuk do të ndjeja ngrohtësinë e nënës sime natë për natë, teksa më përcillte në gjumë të thellë…

Mirej Vaqari, Estel Dylgjeri

Ky stol, i projektuar nga Alba Canaj dhe imazhi i pikturuar nga Franko Dine, kuruar nga Iris Canaj, nën idenë e Eni Zeneli, dhe prekjen virtuale të këtij komunikimi nga Eno Goxha, vjen i frymëzuar nga një poezi, që me siguri edhe ti e di:

Një situacion letrar i dy nxënësve

Ç'më ndodhi me një shkronjë

Me rrëmujë detyrat
i bëri Besniku,
la fletoren hapur
dhe në lojë iku.

E mora fletoren,
bobo, ç'të lexoj,
në çdo fjalë të shkruar
mungon nga një shkronjë.

Atë ditë Besnikun
e hoqa nga loja:
- Sot, - i thashë, - je ngopur,
se ke ngrënë... shkronja!

- Lërmë, o babi, lërmë,
lërmë të shkoj në lojë,
se s'bëhet hataja
vetëm për një shkronjë!

- Nuk bëhet hataja
vetëm për një
shkronjë?!
Eja, bir i babit,
bashkë ta shikojmë.

Për një d-ë
që ti s'e vë,
fjala derë
bëhet erë
dhe shtëpia
ngel pa derë...

Për një m-ë
që ti s'e vë,
fjala mik
bëhet ik...

(Ç'bën kështu,
more Besnik,
a i thuhet
mikut ik?!)

Shih pa shih,
ka dhe më keq:
për një b-ë
që ti e heq,
fjala bujk
bëhet ujk.

(Bujkun tone
që prodhon bukë,
për një shkronjë
ti e bën ujk...)

Sytë e Nikut
mbushen lotë...
Do të flasë,
por çfarë të thotë?!