Dritëro

Agolli

Të parën herë që u ndesha me veprën e Dritëro Agollit, u ndjeva sikur po hyja në një botë tjetër, njëherësh të huaj, si dhe thellësisht të njohur…Faqet dukej se peshonin, sikur të ishin duke u pëshpëritur një sekret brezave. Dukej sikur Agolli po më ofronte një pasqyrim të një vendi nga e shkuara, që në pamje të parë nuk më dukej i njohur, por disi e njihja, e kisha parë diku sikur të kishte qenë gjithmonë aty, duke u fshehur nën sipërfaqen e shkronjave… Ato personazhe të tijat; plot të meta dhe shpesh groteske, më bënë të ndihesha i neveritur, por në të njejtën kohë i tërhequr pas tyre. Sa më shumë të lexoja u bë mëse e qartë, se këto personazhe ishin po ata që shoh sot në rrugë, lokal apo në shkollë. Ishin po ata që shoh përditë në pasqyrë kur zgjohem! Pa e vënë re fare në fillim, nisa të shihja një pasqyrë të kontradiktave të mia duke më treguar pjesë të vetes me të cilat nuk isha plotësisht gati për t'u përballur. Kishte diçka tek ata që dukej si një ftesë, sikur Agolli të më thoshte: - “ Eja, shiko këtë, shikoje sinqerisht, me të gjitha papërsosmëritë e saj dhe gjej diçka nga vetja këtu”. Faqet shfletoheshin dhe krahasimet me botën dhe personazhet po pushtonin mendjen time. I thirra mendjes për një moment, vërtet libri po më dukej tejet argëtues, por i tillë në një mënyrë që më trishtonte pak… Çfarë më kujtojnë këto që po lexoj, a po flet për një realitet të kufizuar brenda faqeve të librit, apo e kam parë diku tjetër këtë? Pas nje periudhe leximi, a mund të vazhdoja ende të thosha se më neveriste Zyloja, apo që nuk e njihja Demkën? Jo, ai isha unë, ose të paktën një variant i imi… Më jehonte në kokë mënyra se si ai rrinte i fshehur pas Zylos, siç bëjmë ne shpesh në jetët tona. Demkë jam treguar sa herë s'kam arritur të kundërshtoj vullnetin e të tjerëve, sa herë që kam heshtur zërin e brendshëm që dikur ishte i etur për më shumë. Dhe s’e kisha dalluar kurrë, se dhe unë ngjaja kaq shumë me Demkën, deri në këto momente... Duke lexuar udhëtimin e tij dhe të Zylos, vura re se sa kjo histori e maskuar nën petkun e situatave komike, po më ngjante me botën ku jetoj jo vetëm unë, por ku individi i zakonshëm jeton dhe sot. Fillova të shoh se sa e rrëshqitshme është të humbasësh veten në ndjekjen e një "të mire më të madhe" që në fund të fundit shpesh nuk është edhe aq e mirë sa na shitet. Bota që portretizonin ato shkronja, nuk ishte e romantizuar apo idealizuar, ishte e papërpunuar, plot me njerëz si unë; të shoqëruar me të metat e tyre. Ngjarjet ndodhnin në një botë kaq larg asaj times e në të njejtën kohë kaq të ngjashme. Në mes të gjithë kësaj, çuditërisht, kishte edhe rehati. Shkrimi i tij, me të gjitha kontradiktat dhe rrëmujën, më bëri të ndihesha më pak i vetmuar. Më kujtoi se procesi i rritjes, dështimit, përpjekjes, përsëri, nuk është një rrugë pa pengesa, por një rrugë plot gropa e degëzime, ku çdo hap, apo zgjedhje e gabuar, mund të të çojë në drejtim të kundërt. Shpesh herë e gjejmë veten duke u kapur pas ideve ose njerëzve, që në fund, nuk na shërbejnë. Por, në mes të gjithë këtij kaosi që na shoqëron, ka humor, mirësi, argëtim. Dritëroi m'i tregoi gjërat siç ishin; të çrregullta, të ndërlikuara dhe nganjëherë të pakëndshme, por në fund të fundit plot humor. Me çdo faqe të kthyer, nuk po lexoja vetëm një histori. Po e jetoja, po e ndjeja, po bëhesha pjesë e saj. U ndjeva sikur Agolli kishte shkruar për mua personalisht. Nuk qe një shkrimtar i huaj, i cili shkruante për fenomene të padëgjuara më parë nga individi i zakonshëm, por një njeri me po ato përjetime si unë, i cili e shoqëron njeriun e thjeshtë hap pas hapi gjatë rrugëtimit tonë të gjatë në jetë…

Lion Xhangolli, Rafael Jançe

Ky stol, i projektuar nga Alba Canaj dhe imazhi i pikturuar nga Franko Dine, kuruar nga Iris Canaj, nën idenë e Eni Zeneli, dhe prekjen virtuale të këtij komunikimi nga Eno Goxha, vjen i frymëzuar nga kjo poezi e Dritëro Agollit…

Një situacion letrar i dy nxënësve:

Kujdes me fjalën!

Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri
Pushteti i fjalës është i veçantë
Gatuan male dhe kakërdhi.

Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë
Pikojnë çezma me helm të zi
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Nga fjala humbën Judë e Pilatë
Strategë e mbretër me mbretëri
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Kur fjala nxiret nga buzët jashtë
Si dallëndyshja s’vjen në shtëpi
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!

Unë fjalën vetë e shtroj në kartë
Dhe brenda syve se ç’është e di…
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë
Kujdes me fjalën dhe ti zotëri!