Lasgush
Poradeci


Teksa lexoja veprën e Lasgushit e ulur në një nga stolat e liqenit të qetë, ndjeva se fjalët e tij merrnin jetë përpara syve të mi. Ishte si të dëgjoja zërin e vetë liqenit, që më pëshpëriste vargjet e tij të ndjera. Në ato çaste, ndjeva një lidhje të thellë mes poetit, natyrës dhe shpirtit tim. Poezia e tij "Poradeci" dukej sikur përshkruante pikërisht atë që po përjetoja, duke e kthyer liqenin; nga një peizazh i zakonshëm, në një shfaqje të gjallë emocionesh… Ajo që më magjeps te Lasgushi është mënyra e veçantë si arrin të përcjellë një qetësi të thellë, por edhe një ndjenjë malli e nostalgjie, që duket se nuk shuhet kurrë… është pikërisht ajo mënyra unike se si ai kombinon ndjenjat intime me peizazhet e natyrës. Në vargjet e tij, liqeni, retë dhe drita marrin jetë dhe bëhen pjesë e emocioneve njerëzore. Në ndryshim nga shumë poetë të tjerë të kohës, që mund të fokusohen më tepër në temat sociale apo patriotike, Lasgushi të fton të zhytesh në thellësinë e shpirtit të tij dhe të zbatosh një lidhje të brendshme me botën përreth.
Do ta rekomandoja pa hezitim, për këdo që kërkon poezi të ndjerë, që të shkund shpirtin dhe të bën të mendosh për lidhjet e tua më të thella me botën… Njohja e Poradecit ka ndikuar thellësisht në shijet e mia letrare. Ai më mësoi të vlerësoj jo vetëm bukurinë e një vargu, por edhe aftësinë për të përjetuar emocionet që ai përçon. Që nga leximi i tij, më është forcuar dashuria për poezinë, si një mënyrë për të njohur vetveten dhe botën përreth; me një sy të ri, më të ndjeshëm dhe më të pasur shpirtërisht. Poezia e tij nuk është thjesht një përshkrim i bukurisë natyrore, por një reflektim i thellë mbi jetën, vetminë dhe lidhjen tonë të pandashme me botën përreth. Kjo është ajo që e dallon atë nga shumë shkrimtarë të tjerë; ai nuk shkruan thjesht për t’u lexuar, por për t’u ndjerë!
Do ta rekomandoja Lasgushin, për këdo që kërkon të zbulojë bukurinë e fshehur në gjërat më të thjeshta; si zhurma e valëve të liqenit, apo heshtja e një mbrëmjeje… Teksa liqeni përshkruhet nga Lasgushi si një pasqyrë e shpirtit të tij, unë e ndjeva poezinë e tij si një pasqyrë të ndjenjave të mia, duke më afruar më shumë me artin dhe me veten time…
T’ju tregojmë më tepër?
Marie Gusho, vajza e poetit të madh Lasgush Poradeci, ka ndarë disa detaje interesante dhe të panjohura më parë rreth jetës dhe personalitetit të babait të saj. Çifti Poradeci kanë jetuar së bashku për 44 vite, gjatë të cilave Lasgushi ishte një baba me dashuri posesive, aq sa shpesh i lodhte fëmijët e tij me përkushtimin dhe mbrojtjene tij të fortë, duke thënë: - “Unë komunizmit nuk ia jap fëmijët e mi.” Marie tregoi se familja e tij kishte një traditë arsimdashëse. Gjyshi i tij dhe xhaxhai hapën për herë të parë shkollën shqipe në Pogradec. Që në fëmijëri, babai i saj spikaste si i veçantë, shpesh duke qëndruar i vetëm buzë liqenit, apo në pyllin e Pogradecit. Gjyshi e kuptonte qartë se Lasgushi ishte ndryshe nga të tjerët. Një dashuri e veçantë e poetit ishte për kafshët. Në ditarin e tij, që e mbajti gjatë gjithë jetës, ai përmendte të gjithë qentë që kishte pasur, duke i qarë dhe varrosur kur vdisnin. Qeni i tij i fundit, Cuci, ishte një burim gëzimi për familjen. Marie gjithashtu theksoi kulturën e gjerë të babait të saj, i cili thoshte se e “sundonte” gjermanishten dhe zotëronte disa gjuhë të tjera si frëngjishten, rumanishten dhe sanskritishten. Megjithëse Lasgushi i përkiste një kohe ku politika ishte e përzier në çdo aspekt të jetës, ai nuk e takoi kurrë Ahmet Zogun dhe nuk shkroi për të. Për të, kulmi i kënaqësisë ishte fakti që, sipas së bijës: “…qëndron këmbëkryq në kulturën shqiptare…”
Anastasia Pjetri, Mishel Pjetraj
Ky stol, i projektuar nga Alba Canaj dhe imazhi i pikturuar nga Franko Dine, kuruar nga Iris Canaj, nën idenë e Eni Zeneli, dhe prekjen virtuale të këtij komunikimi nga Eno Goxha, vjen i frymëzuar nga poezia “dremit liqeri”.
Një situacion letrar i dy nxënësve
Dremit liqeri
Mi zall të pyllit vjeshtarak,
Dremit liqeri pa kufi,
Ay ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.
Posi me flakë-u ndes e kroj,
E vetëtiti plot magji,
E yll´ i ditës perëndoj
Në qetësi dhe dashuri.
Tashi po shuhet nënë mal
Qytet´ i ngrysur në të zi.
Po ndizen yjtë dal-nga-dal
Plot bukuri! plot fshehtësi!
Në këtë ças perëndimor,
Ndaj po më dehen sytë-e mi,
Kuptoj si shpirtin vjershëtor
M’a frymëzon një mall i ri.
